Home > Uncategorized > Prokurori Gashi: Legija ishte pjesë e njësive që sulmuan Jasharajt, kërkoi posaçërisht sulmin ndaj shtëpisë

Prokurori Gashi: Legija ishte pjesë e njësive që sulmuan Jasharajt, kërkoi posaçërisht sulmin ndaj shtëpisë

///
Comments are Off

Prokurori Special, Valdet Gashi, ka dhënë detaje të reja lidhur me personat dhe njësitë serbe që morën pjesë në sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz.

Gashi ka bërë të ditur se në mesin e personave të identifikuar është edhe Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”, i cili në atë kohë drejtonte Njësinë për Operacione Speciale të Serbisë.

Sipas prokurorit Gashi, në aksion kanë qenë të përfshira struktura të ndryshme të aparatit serb të sigurisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Publike, Ministrinë e Brendshme dhe sigurimin shtetëror.

Ai ka thënë se Njësia për Operacione Speciale ishte pjesë e këtij operacioni dhe se ajo udhëhiqej nga Ulemek.

Gashi ka deklaruar se sulmi ndaj shtëpisë së Shaban Jasharit ishte kërkesë e veçantë e Legijas.

“Ka pasur për detyrë dhe me kërkesë të tij speciale që të sulmohet shtëpia e Shaban Jasharit. Kështu edhe ka ndodhur në terren”, ka deklaruar Gashi.

Prokurori ka theksuar se një prej sfidave kryesore gjatë hetimit ka qenë identifikimi i njësive që kanë marrë pjesë në operacion dhe personave që kanë pasur role drejtuese.

Sipas tij, deri tani janë identifikuar 35 persona të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj familjes Jashari dhe të gjithë, sipas informacioneve të Prokurorisë, janë ende gjallë.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të rastit për masakrën e Prekazit, ndërsa Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë lidhur me vrasjen e civilëve të familjes Jashari.

Sulmi në Prekaz në mars të vitit 1998 mbetet një prej ngjarjeve më të rënda të luftës në Kosovë, ndërsa procesi i ri hetimor synon të përcaktojë përgjegjësinë individuale të personave të përfshirë në operacion.

Verified by MonsterInsights