Këngëtari Jozefin Marku, i njohur si Jozi, është arrestuar së bashku me një person tjetër në lidhje me rrahjen e Eduart Kuçit, 26-vjeçarit që dyshohet se u sulmua pas një konflikti.
Policia ka njoftuar se pas hetimeve lidhur me një video të konfliktit të publikuar në rrjetet sociale, janë ndaluar J.M., 30 vjeç, që dyshohet se është Jozefin Marku, dhe K.N., 31 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e K.N., zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni. Po ashtu, është sekuestruar edhe një automjet “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas Policisë, Jozi dhe personat e tjerë dyshohet se e kanë sulmuar dhe rrahur Eduart Kuçin, me pretendimin se ai kishte fyer njërin prej tyre.
Ndërkohë, dy persona të tjerë, A.H., 48 vjeç, dhe K.V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim nga Policia.
Materialet lidhur me rastin i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të dëshmohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.







