Home > Uncategorized > “Të dielën do t’i zbuloj detajet” – Vuçiq tregon se Rutte ia ka kthyer letrën për çështjen e urës mbi lumin Ibër

“Të dielën do t’i zbuloj detajet” – Vuçiq tregon se Rutte ia ka kthyer letrën për çështjen e urës mbi lumin Ibër

///
Comments are Off

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se ka marrë një përgjigje me shkrim nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, lidhur me letrën që i kishte dërguar më herët për zhvillimet në Kosovë dhe veçanërisht për çështjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Vuçiq ka deklaruar se përgjigjja e Rutte-s përmban çështje që lidhen me situatën në Kosovë, por nuk ka bërë të ditur menjëherë përmbajtjen e saj.

Ai ka paralajmëruar se detajet e letrës do t’i bëjë publike të dielën, duke thënë se dëshiron që fillimisht ta prezantojë përmbajtjen e përgjigjes së shefit të NATO-s.

“Do të tregoj detaje ditëve në vijim, të dielën do t’i zbuloj”, ka deklaruar Vuçiq në një intervistë për “Informer TV”.

Presidenti serb ka sqaruar se nuk ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me Rutte-n, por përgjigjja i është dërguar në formë të shkruar.

Letra e parë e Vuçiqit ishte dërguar në kuadër të kundërshtimeve të Beogradit ndaj hapjes për qarkullim të urës kryesore mbi Ibër. Vuçiq kishte kërkuar nga NATO dhe KFOR-i që të ndërhyjnë për të parandaluar hapjen e saj për automjetet, duke pretenduar se një veprim i tillë mund të ndikojë në situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Në letrën e tij, Vuçiq kishte ngritur gjithashtu pretendime lidhur me situatën e komunitetit serb në Kosovë dhe kishte kërkuar një rol më të madh të KFOR-it në garantimin e sigurisë.

Çështja e urës mbi lumin Ibër ka qenë prej vitesh një nga temat më të ndjeshme politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës. Hapja e saj për qarkullim të automjeteve është kundërshtuar nga Beogradi, ndërsa institucionet e Kosovës e kanë konsideruar këtë hap si pjesë të procesit për funksionalizimin e plotë të urës.

Tani vëmendja është përqendruar te përgjigjja e Mark Rutte-s dhe te mënyra se si Vuçiq do ta interpretojë atë. Përmbajtja e plotë e letrës pritet të bëhet publike, sipas deklaratës së tij, të dielën.

Verified by MonsterInsights