Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në Gjilan dhe Prishtinë në kuadër të një hetimi për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa një person është arrestuar.
Sipas Policisë, hetimet janë zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Gjatë operacionit janë bastisur dy lokacione, një në Gjilan dhe një në Prishtinë. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një telefon, dokumente dhe para të gatshme.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet B.B., është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfetit”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.







