Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet të shtunën, më 12 shtator, në Prishtinë.
Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, ka ftuar qytetarët që në marsh të vijnë së bashku me familjet, miqtë dhe bashkëqytetarët e tyre, duke kërkuar që pjesëmarrja të jetë masive, paqësore dhe dinjitoze.
Sipas organizatorëve, marshi do të nisë në orën 14:00 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Tasholli tha se mobilizimi për pjesëmarrje po ndihet në gjithë Kosovën dhe në diasporë.
Ndërkohë, Eliza Hoxha ka bërë të ditur se do të organizohet transport nga qytete dhe komuna të ndryshme të Kosovës, ndërsa pikat e nisjes dhe oraret do të publikohen përmes njoftimeve zyrtare të organizatorëve.
Organizatorët e kanë lidhur marshin me kërkesën për drejtësi dhe me mbrojtjen e historisë dhe vlerave të luftës së UÇK-së.







