Kryeministri Albin Kurti ka komentuar përplasjet rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se çështja e emrave duhet të diskutohet dhe të sqarohet në takime të përbashkëta mes palëve.
Deklarata e Kurtit vjen pas zhvillimeve të tensionuara në seancën konstituive, ku partitë parlamentare patën mospajtime rreth kandidatëve për nënkryetarë.
Kandidati i LVV-së, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar me 101 vota, duke marrë edhe mbështetjen e deputetëve të PDK-së.
Situata ndryshoi gjatë votimit të kandidates së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila nuk mori votat e nevojshme pasi deputetët e Vetëvendosjes nuk e mbështetën kandidaturën e saj.
Pas kësaj, PDK-ja lëshoi sallën, ndërsa përplasjet vazhduan edhe rreth procedurës për kandidatët e partive të tjera.
Kurti ka kërkuar që çështjet rreth emrave të kandidatëve të trajtohen përmes takimeve të përbashkëta, në mënyrë që procesi i konstituimit të Kuvendit të ecë përpara.







