Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje deputetëve ta përmbushin përgjegjësinë kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, pas votimit të Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti, raporton Kombi.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se pas votimeve për Kuvendin dhe Qeverinë, zgjedhja e presidentit mbetet hapi i radhës për kompletimin e institucioneve.
“Me votimet e sotme, Republika e Kosovës tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë. Mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve e që është zgjedhja e Presidentit të Republikës”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka kërkuar që procesi të përmbyllet me sukses, duke theksuar nevojën për stabilitet institucional.
“Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka uruar Kurtin dhe kabinetin e ri qeveritar, ndërsa ka renditur reformat, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës ndër punët që i presin institucionet.
Sipas saj, Kuvendi do të vazhdojë punën me agjendën legjislative dhe mbikëqyrjen parlamentare të ekzekutivit.







