Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pas fjalimit të mandatarit Albin Kurti, duke kritikuar programin e prezantuar dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Zemajt, programi dhe premtimet e Kurtit janë të njëjta, ndërsa ai pretendon se edhe dështimet janë të pritshme.
“Programi i njëjtë. Premtimet e njëjta. Dështimet e pritshme. E njëjta propagandë, të njëjtat fjalë, të njëjtat arsyetime. Por këtë herë, mashtrimi është deshifruar”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka vazhduar kritikat ndaj Vetëvendosjes, duke deklaruar se qytetarët tashmë, sipas tij, e kanë kuptuar mënyrën e qeverisjes së kësaj partie.
“VV, sot populli ju ka parë. Populli ju ka kuptuar. Populli do të gjykojë”, ka shtuar deputeti i LDK-së.
Reagimi i Zemajt vjen pas prezantimit të programit nga Kurti në seancën për votimin e Qeverisë.







