Home > Ballina > Plan i posaçëm policor për 16 shtatorin, parashihen përforcime në Prishtinë

Plan i posaçëm policor për 16 shtatorin, parashihen përforcime në Prishtinë

///
Comments are Off

Ndërprerja e pushimeve vjetore, orari 12-orësh për disa njësi dhe përforcimi i Prishtinës janë pjesë e planit policor për 16 shtatorin, sipas Paparacit. Portali, duke cituar burime brenda Policisë së Kosovës, ka publikuar detaje të përgatitjeve për ditën e shpalljes së aktgjykimit në Hagë, raporton Kombi.

Dhomat e Specializuara kanë caktuar 16 shtatorin për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Njoftimi zyrtar.

Sipas raportimit të Paparacit, nga 15 shtatori parashihet ndërprerja e pushimeve vjetore për zyrtarët policorë që ndodhen brenda Kosovës, ndërsa kërkesat e reja për pushim nuk do të miratohen.

Nga mëngjesi i 16 shtatorit, disa njësi pritet të punojnë me orar 12-orësh. Në Prishtinë parashihet aktivizimi i tri togjeve rezervë dhe ardhja e përforcimeve nga Gjilani, Ferizaj, Prizreni, Gjakova, Peja dhe Mitrovica e Jugut.

Raportimi përmend edhe angazhimin e operatorëve të NJRSH-së nga gjashtë rajone policore, me pajisje për menaxhimin e turmave. Sipas të njëjtit burim, dokumenti përcakton edhe procedurën për pajisje me gaz lotsjellës, nëse njësitë kanë nevojë.

Masa të shtuara sigurie parashihen pranë përfaqësive diplomatike e ndërkombëtare, përfshirë Ambasadën e SHBA-së dhe zyrat e BE-së, si dhe pranë gjykatave e prokurorive. Në plan përmendet edhe vendosja e një ekipi zjarrfikësish me kamion në kompleksin e EULEX-it në Prishtinë.

Paparaci raporton gjithashtu për shtim të patrullimeve në zonat me popullatë të përzier dhe angazhim të inteligjencës policore për mbledhjen e informacioneve. Në kryeqytet janë paralajmëruar organizime publike lidhur me aktgjykimin.

Detajet e masave mbështeten në burimet e Paparacit brenda Policisë; raportimi nuk përmban një konfirmim zyrtar publik të tyre.

Verified by MonsterInsights