Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar të martën familjen e ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili ndodhet në Hagë.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Altin Krasniqi, i cili ka shprehur mirënjohje për vizitën e presidentes dhe i ka uruar suksese në detyrën e saj të re.
“Presidentja na nderoi sot me praninë e saj. Me këtë rast, i uruam punë të mbarë dhe suksese në misionin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se, në këtë periudhë të vështirë për familjen dhe Kosovën, nevojiten unitet, solidaritet dhe përkushtim në përpjekjet ligjore për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në vend.
“Në këto ditë të vështira, jo vetëm për ne si familje, por edhe për shtetin tonë, na duhet unitet, solidaritet dhe përkushtim i palëkundur në betejat ligjore në përpjekjet për rikthimin në atdhe të çlirimtarëve tanë”, ka deklaruar ai.
Vizita e Shiroka-Pulës vjen pak ditë pas marrjes së detyrës së presidentes së Kosovës, si dhe pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vazhdojë në shkallën e apelit.







