Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj tij lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë shpërndarjes së granteve në kohën kur drejtonte Ministrinë e Bujqësisë.

Peci e ka bërë të ditur këtë të martë, më 27 tetor, përmes një reagimi në Facebook, ku ka publikuar edhe fotografinë e një aktvendimi të Prokurorisë Speciale, të datës 26 tetor 2026, me titullin “Aktvendim për pushimin e hetimit”.

Në reagimin e tij, Peci ka deklaruar se vendimi dëshmon, sipas tij, se akuzat e ngritura ndaj tij gjatë dy viteve të fundit kanë qenë të pabazuara.

“Foli Prokuroria Speciale, sepse grantet janë dhënë vetëm me meritokraci”, ka shkruar Peci.

Ai ka akuzuar zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për, siç i ka cilësuar, sulme të organizuara dhe shpifje ndaj tij, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore.

Peci ka bërë të ditur se synon të paraqesë kallëzime penale për deklarime të rreme ndaj zyrtarëve të LDK-së që kishin ngritur kallëzimin penal dhe personave të tjerë që, sipas tij, kishin përhapur akuza të pabaza.

Hetimet për grantet në bujqësi ishin zhvilluar pas kallëzimit penal të dorëzuar nga përfaqësues të LDK-së, lidhur me dyshimet për mënyrën e ndarjes së mjeteve financiare gjatë mandatit të Pecit.

Në nëntor të vitit 2024, ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, kishte ngritur pretendime për përfitimin e granteve nga familjarë të politikanes Fitore Pacolli. Këto pretendime ishin kundërshtuar nga Peci dhe Pacolli.

Më 30 janar 2026, Faton Peci ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit. Institucioni kishte konfirmuar atëkohë se çështja e granteve ishte në trajtim.

Në prill të këtij viti, Peci kishte njoftuar gjithashtu për hedhjen poshtë të një kallëzimi penal, por Prokuroria Speciale kishte sqaruar se ai vendim nuk lidhej me hetimet për grantet, por me një çështje tjetër që kishte të bënte me ushtrimin e dy funksioneve njëkohësisht në Kuvend dhe Qeveri.

Ndryshe nga rasti i prillit, dokumenti i publikuar këtë të martë mban datën 26 tetor 2026 dhe paraqitet si aktvendim për pushimin e hetimit.

Megjithatë, deri në momentin e raportimit, nuk është siguruar një konfirmim i veçantë nga Prokuroria Speciale për përmbajtjen e plotë dhe shtrirjen e këtij vendimi.

Peci ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke përsëritur qëndrimin se gjatë ushtrimit të detyrës së ministrit ka vepruar në përputhje me ligjin.