Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçarja që u vra të dielën në fshatin Vitomiricë të Pejës, do të përcillet sot për në banesën e fundit.

Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia e varrimit do të mbahet këtë të martë, më 27 tetor, në orën 15:00, në varrezat e fshatit Radavc të Pejës. Kortezhi mortor do të niset nga shtëpia e së ndjerës.

Vrasja e Arlindës më 25 tetor ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, veçanërisht pas publikimit të informacioneve se ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës në familje.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, viktima kishte një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, ndërsa vetëm pak ditë para vrasjes kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zbatimin e vendimit gjyqësor.

Mbrëmjen e ngjarjes, Arlinda ishte kthyer në shtëpinë e saj, e shoqëruar nga zyrtarë policorë. Pak minuta më vonë, ajo u gjet pa shenja jete.

Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, të cilin Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Ndërkohë, Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse kanë nisur shqyrtimin e veprimeve që i paraprinë vrasjes, për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje gjatë trajtimit të kërkesave të viktimës për mbrojtje.