Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, që brenda 54 orëve të mbetura të paraqesin raportet për veprimet dhe dështimet e mundshme institucionale në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.
Duke folur të martën, më 27 tetor, nga Klinika e Kardiologjisë në QKUK, Kurti tha se raportet duhet të sqarojnë përgjegjësinë e secilës hallkë institucionale, si dhe mënyrën se si po trajtohen rastet e tjera të grave që vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga dhuna.
“MD-ja dhe MPB-ja i kanë edhe 54 orë që të më sjellin raportin për të ndriçuar këtë rast deri në fund”, deklaroi Kurti.
Kryeministri sqaroi se afati prej 54 orësh është koha e mbetur nga afati 72-orësh që kishte përcaktuar një ditë më parë, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për vrasjen e Arlindës.
Ai kishte kërkuar që Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Policisë së Kosovës, të bëjë rishikimin urgjent të rasteve aktive të dhunës në familje me rrezikshmëri të lartë.
Për secilin rast, sipas kërkesës së Kurtit, duhet të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtarët përgjegjës dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, përfshirë zbatimin e urdhrave mbrojtës.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë duhet të përgatisë një raport të detajuar për të sqaruar veprimet apo mosveprimet e institucioneve që kishin trajtuar rastin e Arlinda Zekajt.
Kurti kërkoi gjithashtu reforma urgjente në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve nevojitet përgjegjësi nga hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët.
Ai paralajmëroi se pas shqyrtimit të raporteve mund të ndërmerren masa në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Këto kërkesa vijnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor, ndonëse viktima kishte raportuar më herët dhunë në familje dhe kishte urdhër mbrojtjeje.
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si Policia i kishte trajtuar denoncimet e saj.
Deri më tani, nuk është përcaktuar nëse zyrtarët përgjegjës kanë kryer shkelje ligjore, ndërsa hetimet për veprimet dhe mosveprimet e mundshme institucionale po vazhdojnë.






