Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte larguar nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Vendimi është marrë të martën, më 27 tetor 2026, nga kolegji i Gjykatës Supreme, i cili ka konstatuar se ankesa nuk i plotëson kushtet ligjore për t’u shqyrtuar në kuadër të procedurës për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ankesa e Isufajt ishte paraqitur kundër vendimit të KPK-së, të datës 2 tetor 2026, me numër 695/2026, përmes të cilit ai ishte larguar nga pozita udhëheqëse e Prokurorisë Speciale.

Sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme, largimi i një kryeprokurori nga pozita udhëheqëse nuk nënkupton domosdoshmërisht se ndaj tij është marrë një vendim disiplinor.

Gjykata ka vlerësuar se vendimi i KPK-së ndaj Isufajt është akt individual me karakter administrativ dhe jo vendim disiplinor, pasi në procedurën përkatëse nuk ishte konstatuar përgjegjësia e tij disiplinore.

Për këtë arsye, Supremja ka sqaruar se ligjshmëria e vendimit për largimin e Isufajt mund të kontestohet përmes procedurës së konfliktit administrativ, para gjykatës kompetente.

Kjo nënkupton se Gjykata Supreme nuk ka shqyrtuar nëse vendimi i KPK-së për shkarkimin e Isufajt ishte i ligjshëm apo i bazuar, por vetëm nëse ankesa e tij mund të trajtohej në procedurën e zgjedhur.

Kujtojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte vendosur më 2 tetor largimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, me gjashtë vota për dhe një kundër.

Në arsyetimin e vendimit, KPK-ja kishte përmendur keqmenaxhimin e institucionit, jokompetencën në ushtrimin e pozitës udhëheqëse, dështimin në përmbushjen e detyrave dhe mosarritjen e standardeve të kërkuara të performancës.

Isufaj e kishte kundërshtuar këtë vendim, duke pretenduar për shkelje procedurale, zbatim të gabuar të ligjit dhe vlerësim jo të plotë të gjendjes faktike.

Përmes avokatit të tij, Artan Qerkini, ai kishte kërkuar ndryshimin e vendimit dhe vazhdimin e mandatit si kryeprokuror ose, në mënyrë alternative, anulimin e vendimit dhe kthimin e çështjes në KPK për rishqyrtim.

Ankesa ishte dorëzuar më 9 tetor, ndërsa më 27 tetor Gjykata Supreme vendosi ta hedhë si të palejuar.

Pas largimit nga pozita e kryeprokurorit, Isufaj ka vazhduar të ushtrojë funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale, ndërsa Dren Paca është caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit.

Vendimi i fundit i Supremes nuk e mbyll mundësinë e kontestimit gjyqësor të largimit të Isufajt, por përcakton se kjo çështje duhet të trajtohet përmes procedurës përkatëse administrative.