Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar që përgjegjësia për mosmbrojtjen e saj të mos kufizohet vetëm në dorëheqje dhe shkarkime, por të përfshijë edhe përgjegjësi penale.
Në një reagim të publikuar të enjten, më 29 tetor, Osmani ka kritikuar institucionet që kishin për detyrë mbrojtjen e Arlindës, e cila ishte drejtuar disa herë tek autoritetet për të kërkuar ndihmë.
“SHTETI E LA NË DUART E VDEKJES”, ka shkruar Osmani në reagimin e saj në Facebook.
Ajo ka theksuar se shkarkimet dhe dorëheqjet nuk janë të mjaftueshme për të adresuar përgjegjësinë e zyrtarëve që, sipas saj, nuk vepruan për ta mbrojtur viktimën.
“Për çdo zyrtar që refuzoi ta mbronte, duhet të ketë edhe përgjegjësi penale”, ka deklaruar Osmani.
Ish-presidentja e ka përmbyllur reagimin me një kërkesë të drejtpërdrejtë për drejtësi dhe llogaridhënie.
“DREJTËSI. PËRGJEGJËSI. BURG!”, ka shkruar ajo.
Ky është një tjetër reagim i Osmanit pas vrasjes së Arlindës, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Më 26 tetor, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, Osmani kishte kërkuar që përgjegjësia për rastin të shtrihej edhe te zinxhiri institucional që kishte trajtuar denoncimet e viktimës.
Ajo kishte theksuar se dhuna ndaj grave nuk fillon vetëm në momentin e vrasjes, por shpesh paraprihet nga kërcënimet, kontrolli dhe mosreagimi ndaj shenjave të rrezikut.
Ndërkohë, pas vrasjes së Arlindës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka vendosur që tri lëndë penale të lidhura me rastin të transferohen nga Prokuroria Themelore në Pejë në atë të Prishtinës.
Paralelisht, autoritetet janë duke shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e mundshme institucionale, përfshirë vendimet e marra, vlerësimin e rrezikut dhe masat për mbrojtjen e viktimës.
Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka publikuar një raport lidhur me trajtimin gjyqësor të rastit, duke konfirmuar se Arlinda kishte pasur urdhër mbrojtjeje.
Reagimi i Osmanit vjen një ditë pas protestës së madhe në Prishtinë, ku qytetarët kërkuan shkarkime, hetime dhe përgjegjësi penale për zyrtarët që mund të kenë neglizhuar detyrimet e tyre.
Përgjegjësia eventuale penale e zyrtarëve mbetet për t’u përcaktuar përmes hetimeve dhe procedurave gjyqësore.






