Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar llogaridhënie nga institucionet shtetërore pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke paraqitur tri kërkesa urgjente për forcimin e mbrojtjes së grave nga dhuna.
Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës, të enjten më 29 tetor, Musliu ka kritikuar mënyrën se si institucionet trajtojnë rastet e dhunës në familje, duke e cilësuar vrasjen e Arlindës si dëshmi të dështimit të sistemit për mbrojtjen e grave.
Në emër të PDK-së, ajo ka paraqitur tri kërkesa që, sipas saj, duhet të trajtohen me urgjencë nga institucionet përgjegjëse.
Kërkesa e parë ka të bëjë me rishikimin e menjëhershëm të rasteve të dhunës në familje që vlerësohen me rrezik të lartë.
Musliu ka kërkuar koordinim më të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe shërbimeve sociale, në mënyrë që gratë e rrezikuara të identifikohen dhe të mbrohen para se situata të përshkallëzohet.
“Urdhri i mbrojtjes duhet të jetë siguri në praktikë, jo thjesht një dokument i vdekur në letër”, ka deklaruar ajo.
Kërkesa e dytë lidhet me specializimin e institucioneve dhe forcimin e llogaridhënies së zyrtarëve që merren me rastet e dhunës.
Deputetja ka kërkuar krijimin e ekipeve të specializuara brenda Policisë për vlerësimin e rrezikut, si dhe shkarkimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve për të cilët konstatohet neglizhencë në trajtimin e rasteve të dhunës.
Ajo ka përmendur policët, prokurorët, gjyqtarët dhe punëtorët socialë si pjesë të institucioneve nga të cilat duhet kërkuar përgjegjësi.
Kërkesa e tretë përfshin reforma ligjore dhe buxhetore për mbrojtjen e grave.
Musliu ka kërkuar rishikimin e dënimeve për vrasjet me motiv gjinor dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret që përkujdesen për viktimat e dhunës.
Sipas saj, gratë që largohen nga ambientet ku përjetojnë dhunë duhet të kenë mbështetje institucionale dhe siguri ekonomike.
Gjatë fjalimit, Musliu ka përmendur edhe kërkesën e saj të mëhershme që drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të raportojë në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lidhur me rastin e Arlindës.
Ajo ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se kishin kundërshtuar kërkesën e saj për raportim javën e ardhshme.
Kërkesa nuk ishte miratuar në mbledhjen e 27 tetorit, ndërsa kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, kishte bërë të ditur se raportimi i drejtorit të Policisë ishte planifikuar pas katër javësh.
Musliu ka paralajmëruar se PDK-ja do ta përsërisë kërkesën për raportim, duke insistuar që përgjegjësitë institucionale të shqyrtohen me afate dhe rezultate konkrete.
Ajo ka bërë thirrje edhe për luftimin e paragjykimeve dhe qëndrimeve shoqërore që relativizojnë dhunën ndaj grave.
Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës ka shkaktuar reagime dhe protesta në vend, pasi viktima kishte raportuar më herët dhunë dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.
Autoritetet janë duke shqyrtuar veprimet dhe dokumentacionin e institucioneve që kishin trajtuar rastin, ndërsa përgjegjësitë eventuale ligjore mbeten për t’u përcaktuar nga organet kompetente.






