Janë publikuar detaje nga aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Sipas pjesës së publikuar të aktvendimit, Gjykata Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit ndaj Sylajt, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”.
Vendimi është marrë më 28 tetor 2026 nga gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharaxhiu, pas mbajtjes së seancës dëgjimore në prani të prokurores së shtetit Sahide Gashi, të pandehurit dhe mbrojtëses së tij.
Sipas aktvendimit, Albert Sylaj, i lindur në vitin 1984, është ndaluar më 27 tetor, në orën 23:40, kur edhe është arrestuar nga Policia e Kosovës në Deçan.
Gjykata i ka caktuar atij masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila llogaritet nga momenti i arrestimit dhe zgjat deri më 27 nëntor 2026.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila po zhvillon hetimet lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në fshatin Vitomiricë.
Sipas dyshimeve të organeve të rendit, Sylaj dyshohet se e ka vrarë me sëpatë ish-kunatën e tij, Arlindën, pas së cilës ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, ndërsa arrestimi i tij u realizua të martën në mbrëmje, pas veprimeve operative dhe hetimore.
Gjatë seancës për caktimin e paraburgimit, mbrojtja e Sylajt kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë, duke kërkuar një masë më të butë, përfshirë mundësinë e dorëzanisë.
Megjithatë, Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur që i pandehuri të mbahet në paraburgim.
Palët kanë të drejtë ankese kundër aktvendimit brenda 48 orëve nga pranimi i tij, përmes Gjykatës Themelore në Pejë, drejtuar Gjykatës së Apelit.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime dhe protesta të shumta në Kosovë, pasi viktima kishte raportuar më herët kërcënime dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.
Hetimet për rrethanat e vrasjes dhe trajtimin institucional të denoncimeve të viktimës po vazhdojnë.
Caktimi i paraburgimit nuk nënkupton shpalljen fajtor të Albert Sylajt, i cili prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






