Qyteti bregdetar i Durrësit mbetet një nga destinacionet kryesore të turistëve vendas e të huaj për të kaluar pushimet verore.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhet e Durrësit të mbushura me turistë.
Falë rërës së butë e detit të ngrohtë që zgjat nga muaji maj deri në shtator, si dhe aktiviteteve të shumta apo restoranteve që janë të hapura përgjatë gjithë vitit, plazhet e Durrësit janë nga më të frekuentuarat në Shqipëri.
Afërsia me Tiranën ka ndihmuar gjithashtu që banorët e kryeqytetit të kenë shkëputjen perfekte gjatë fundjavës më pak se një orë larg.
Disa nga plazhet më të frekuentuara janë; plazhi në Gjirin e Lalzit, i cili ndodhet 30 km në veri të Durrësit. Plazhi që shtrihet nga Shën Pjetri deri në drejtim të Rrushkullit ofron një det fantastik dhe rërë të pastër.
Një nga destinacionet që vitet e fundit ka patur një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve është Kepi i Rodonit, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Tiranës. Ky rrip i lartë toke në formë gadishulli shtrihet në detin Adriatik dhe ofron peizazhe tërheqëse si dhe disa monumente historike e kulturore të rëndësisë së veçantë.
Plazhi i Currilave dhe i Kallmit vijnë njëri pas tjetrit dhe janë dy nga plazhet më të njohura të Durrësit falë dhe afërsisë me qytetin. Mes të dyjave Plazhi i Currilave është më i populluar, ndërsa ai i Kallmit preferohet nga familjet me fëmijë për shkak të cekësisë së ujit.
Plazhi i Karpenit në Spille, falë plot plazheve të virgjëra, kjo vijë bregdetare është për ata që duan të shijojnë detin dhe rërën në qetësi dhe të shkëputur nga zhurma apo popullimi i zonave të tjera.
Po ashtu në Durrës të frekuentuara janë edhe plazhet në Golem dhe tek Shkëmbi i Kavajës, apo edhe Qerreti./ATSH