Deputetja e rizgjedhur e Kuvendit të Kosovës e cilëson rezultatin si përgjegjësi dhe obligim moral ndaj qytetarëve dhe shtetit
Aktorja e njohur shqiptare dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, ka reaguar publikisht pas rizgjedhjes së saj për një mandat të ri parlamentar, duke shënuar kështu legjislaturën e tretë në karrierën e saj politike.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Matoshi ka falënderuar qytetarët që i kanë dhënë besimin edhe për një mandat tjetër, duke bërë të ditur se në zgjedhjet e fundit ka marrë gjithsej 38.167 vota nga radhët e Lëvizja VETËVENDOSJE!.
“Ju që më keni votuar, nuk keni gabuar”, ka shkruar ajo, duke e cilësuar këtë rezultat si një përgjegjësi të madhe dhe një obligim moral për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.
Matoshi ka theksuar se besimi i dhënë nga votuesit e motivon që edhe në mandatin e ardhshëm të angazhohet me përkushtim për çështjet sociale, barazinë dhe interesin publik, duke mbetur një zë aktiv dhe përfaqësues i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.



