Home > Lajme > Vërshimet e fundit, IKSHPK tregon gjendjen e ujit të pijes në Kosovë

Vërshimet e fundit, IKSHPK tregon gjendjen e ujit të pijes në Kosovë

///
Comments are Off

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se, si pasojë e reshjeve të shtuara atmosferike ditëve të fundit, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, ka intensifikuar monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë marrë mostra për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga sistemet publike të ujëfurnizimit. Rezultatet paraprake tregojnë se në disa zona burimet e ujit janë jashtë standardeve të lejuara, kryesisht për shkak të turbullirës së lartë të shkaktuar nga vërshimet.

Gjendja e ujit të pijes më 9 janar 2026:

Rajoni i Prishtinës:
Fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Bivolak janë jashtë funksionit për shkak të turbullirës së madhe. Ndërkohë, fabrikat në Badoc dhe Batllavë funksionojnë normalisht dhe cilësia e ujit është brenda standardeve.

Rajoni i Prizrenit:
Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja teknike, ndërsa nga burimet Cvilen dhe Soz uji është brenda standardeve. Në Suharekë dhe Dragash uji konsiderohet i pijshëm, ndërsa në Malishevë përdoret vetëm për nevoja teknike.

Rajoni i Gjilanit:
Në qytetin e Gjilanit uji është brenda standardeve të lejuara. Në Kamenicë, Viti dhe fshatrat Makresh, Ropotovë, Ranillug dhe Berivojcë janë regjistruar vlera të rritura të turbullirës dhe uji nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Pejës:
Në qytetin e Pejës dhe Istogut uji është brenda standardeve. Ndërsa në Deçan, Junik dhe Klinë furnizimi me ujë është vetëm për përdorim teknik. Po ashtu, në Mbivadë, Vrellë dhe burimin e Jarinës uji shfrytëzohet vetëm për nevoja teknike për shkak të turbullirës së lartë.

Rajoni i Ferizajt:
Uji është i pijshëm dhe brenda standardeve.

Rajoni i Gjakovës:
Furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova konsiderohet i sigurt për pije. Në Hoqë të Madhe, Opterushë dhe Zaqishtë janë shënuar vlera të rritura të turbullirës dhe uji nuk është i pijshëm.

Rajoni i Mitrovicës:
Uji përdoret vetëm për nevoja teknike.

IKSHPK ka bërë të ditur se, në koordinim me Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, do të vazhdojë monitorimin e shtuar të cilësisë së ujit të pijshëm me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës.

Verified by MonsterInsights