Zyrtarët policorë në mbarë Kosovën kanë qenë të angazhuar intensivisht ditëve të fundit, jo vetëm në kryerjen e detyrave të rregullta, por edhe në menaxhimin e situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme në rrugë, toka bujqësore, shtëpi banimi dhe lokale afariste, ndërsa në disa zona janë shembur ura dhe është paraqitur nevoja për evakuimin e familjeve nga zonat më të rrezikuara.
Policia ka monitoruar vazhdimisht gjendjen në terren, duke orientuar trafikun në rrugë alternative dhe duke u koordinuar ngushtë me shtabet komunale dhe institucionet e tjera relevante për menaxhimin e situatës emergjente.
Sipas njoftimit zyrtar, në rajonin e Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Jugu, që përfshin komunat Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, janë evakuuar gjithsej 39 familje të rrezikuara nga përmbytjet.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin me përkushtim të plotë, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet operative për ofrimin e sigurisë dhe asistencës ndaj shërbimeve emergjente, me qëllim mbrojtjen dhe mbështetjen e qytetarëve në këto situata të jashtëzakonshme.



