Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Rexhep Malajn dhe Nuhi Berishën në 42-vjetorin e rënies së tyre, duke i cilësuar si figura kyçe të rezistencës shqiptare dhe simbol të sakrificës për lirinë e Kosovës.
Përmes një postimi, Kurti ka rikujtuar se më 11 janar 1984, Malaj dhe Berisha u vranë pasi rezistuan të armatosur ndaj policisë jugosllave, në një shtëpi ku ishin strehuar në lagjen Vranjec (sot Kodra e Trimave) në Prishtinë. Ai theksoi se qëndresa e tyre u përjetua si shembull frymëzues për brezat që më vonë do të luftonin për çlirim.
Sipas Kurtit, të dy veprimtarët kishin një angazhim të hershëm politik dhe kombëtar, duke jetuar në ilegalitet për shkak të ndjekjes nga shërbimet jugosllave. Ai vuri në pah rolin e tyre në organizatat ilegale shqiptare dhe përkushtimin e tyre ndaj idesë së lirisë, edhe kur kjo nënkuptonte rrezik të vazhdueshëm për jetën.
Në postimin e tij, Kurti kujtoi edhe veprimtarinë individuale të secilit. Rexhep Malaj ishte një nga figurat udhëheqëse të lëvizjeve ilegale shqiptare, i dënuar disa herë me burg për aktivitet politik dhe përpjekje për t’u lidhur me Shqipërinë. Ndërkaq, Nuhi Berisha kishte qenë aktiv në organizimin e demonstratave studentore të vitit 1981 dhe kishte vazhduar veprimtarinë e tij edhe në mërgatë, para se të kthehej në Kosovë.
Kurti përmendi gjithashtu se veprimtaria dhe mendimi i tyre politik janë ruajtur edhe përmes shkrimeve, si ditari i burgut i Rexhep Malajt “Qëndresa” dhe kujtimet e Nuhi Berishës për demonstratat e vitit 1981, “Pranverë e luleve të kuqe”.
Në fund, kryeministri nderoi kujtimin e tyre, duke theksuar se rënia e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës mbetet një nga kapitujt më domethënës të historisë së rezistencës shqiptare në Kosovë.
“Lavdi Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, në 42-vjetorin e rënies së tyre për lirinë e Kosovës,” ka përfunduar Kurti.



