Home > Ballina > Aksidenti në Rumani: shtatë viktima, tifozët e PAOK udhëtonin me furgon me qira

Aksidenti në Rumani: shtatë viktima, tifozët e PAOK udhëtonin me furgon me qira

///
Comments are Off

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik të regjistruar në Rumani, ku humbën jetën shtatë persona, mes tyre edhe shqiptari Vasil Pilo.

Sipas mediave greke, viktimat po udhëtonin me një furgon të marrë me qira nga një kompani në qytetin Edessa, ndërsa ishin nisur drejt Francës për të ndjekur ndeshjen e së enjtes në kuadër të Europa League, ku luan PAOK.

Raportohet se kompania e qirasë ofronte mjetet me ose pa shofer profesionist, ndërsa tifozët kishin vendosur që furgoni të drejtohej me radhë nga vetë udhëtarët. Sipas burimeve, kjo mënyrë udhëtimi dyshohet se ka ndikuar në përfundimin tragjik të udhëtimit.

Pronari i kompanisë së qirasë ndodhej jashtë Greqisë në momentin kur është njoftuar për aksidentin. Mediumi grek Protothema.gr raporton se ai është kthyer me urgjencë në vend, i tronditur nga ngjarja.

“Jemi në gjendje shoku”, është shprehur ai për mediat greke.

Në furgon ndodhej edhe një shqiptar tjetër, i identifikuar si Genci Sadiku. Gjendja e tij shëndetësore ende nuk është konfirmuar dhe nuk dihet nëse ai ndodhet në mesin e viktimave. Tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor në spital.

Autoritetet rumune po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Verified by MonsterInsights