Skuadra e futbollit nga Podujeva, KF Llapi, ka zhvilluar ditën e sotme një ndeshje miqësore me skuadrën kazake, Kaysar Kyzylorda, në Antalia të Turqisë.
Me rezultat 2-1, fitorja i takoi skuadrës kosovare, por në një moment gjatë ndeshjes pati një përleshje të ashpër fizike mes lojtarëve në fushë, raporton Klankosova.tv.
Gjithçka nisi pas një ndërhyrjeje të palejuar që një lojtar i Llapit bëri ndaj një lojtari të skuadrës kazake afër zonës, çka çoi në reagimin e ashpër të lojtarëve të Kaysar Kyzylordas.
Në përleshjen e dhunshme fizike u përfshinë shumë lojtarë të të dyja skuadrave, ndërsa ndërhynë edhe bankat rezervë.
Ky moment u shënua në pjesën e parë, kur skuadra kosovare po avanconte 2-0.
Loja u qetësua dhe vazhdoi pas disa minutash ndërprerjeje.
Golat për llapjanët i shënuan Edon Sadriu dhe Hasan Hyseni në minutën e 14′, respektivisht 16′.
Deri më tani nuk ka ndonjë reagim nga skuadra e Llapit për incidentin. /Klankosova.tv


