Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë pretendimet se ka qenë i përfshirë në përpjekje për rrëzimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë, duke i cilësuar ato si “një narrativë shumë të ulët”.
Reagimi i tij vjen pas një procesi të tensionuar të votëbesimit, nga i cili Abdixhiku doli fitues me një shumicë minimale, duke siguruar vazhdimin e mandatit në krye të një partie të përçarë. Pas këtij rezultati, në media dhe rrjete sociale u përhapën pretendime për “komplote” të brendshme dhe takime të fshehta, ku emri i Mustafës u përmend si një nga figurat e përfshira.
Mustafa i mohoi kategorikisht këto akuza, duke sfiduar publikisht këdo që pretendon të kundërtën. Ai tha se do të përgjigjej vetëm nëse një delegat i Kuvendit të fundit të LDK-së do të dilte publikisht për të dëshmuar se ai ka punuar kundër Abdixhikut.
Sipas tij, që nga dorëheqja në vitin 2021 nga të gjitha pozitat partiake, ai nuk ka marrë pjesë në asnjë takim apo tubim të LDK-së dhe gjithë zhvillimet i ka ndjekur vetëm përmes mediave. Mustafa theksoi se nuk ka as interes dhe as motiv të ndërhyjë në çështjen se kush e drejton partinë, duke shtuar se e vetmja dëshirë e tij është forcimi dhe fitorja e LDK-së.
Ai rikujtoi gjithashtu se ishte vetë ai që e kishte sjellë Abdixhikun në LDK në vitin 2017 dhe se nuk ka propozuar asnjë kandidat për kryetar pas dorëheqjes së tij. “Për mua është e rëndësishme LDK-ja, jo individët”, tha Mustafa, duke e mbyllur reagimin me kritika ndaj, siç i quajti, “narrativave dashakeqe” që synojnë të krijojnë armiq brenda partisë.



