Bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës po rrezikon ratifikimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, vlera e të cilave arrin rreth 121 milionë euro. Afati për miratimin e disa prej këtyre marrëveshjeve është i kufizuar, ndërsa funksionimi i Kuvendit aktualisht është i pezulluar.
Sipas raportimeve, Kuvendi ka kohë deri më 31 mars për të ratifikuar marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane për Investime për projektin e energjisë diellore fotovoltaike në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.
Kjo marrëveshje është vetëm njëra nga tetë marrëveshjet ndërkombëtare që presin ratifikim në Kuvend. Mes tyre përfshihen edhe marrëveshje me Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondin Saudit për Zhvillim për projekte infrastrukturore dhe energjetike.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, afatet për miratimin e këtyre marrëveshjeve janë të ngushta dhe kërkojnë procedim të shpejtë nga Kuvendi. Ndërkohë, ekspertët e çështjeve parlamentare paralajmërojnë se vonesat mund të ndikojnë negativisht në realizimin e projekteve dhe në besueshmërinë e Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Njohësit e proceseve institucionale theksojnë se ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare mundëson investime publike, përmirësim të infrastrukturës dhe zhvillim ekonomik, ndërsa çdo bllokadë politike e vonon realizimin e këtyre projekteve dhe krijon pasiguri institucionale.



