Ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, ka marrë pagë për 11 vjet si ushtruese detyre e drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës, një institucion paralel serb që, sipas dokumenteve zyrtare, është mbyllur që nga viti 2021.
Sipas një hulumtimi të Radio Evropa e Lirë, Paunoviç ka vazhduar të përfitojë pagë nga buxheti i Serbisë deri në prill të vitit 2025, kur u emërua ministre. Gjatë kësaj periudhe, ajo dyshohet se ka përfituar rreth 146 mijë euro si drejtoreshë e institucionit, pavarësisht se ai nuk funksiononte më zyrtarisht.
Dokumentet e analizuara tregojnë se vetë Paunoviç kishte dorëzuar kërkesën për mbylljen e institucionit në vitin 2021, por emri i saj vazhdoi të figurojë si ushtruese detyre e drejtoreshës deri në marrjen e postit ministror në Qeverinë e Serbisë.
Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas deklaratave të fundit të Paunoviç lidhur me Kosovën, të cilat kanë shkaktuar kritika në Kosovë, rajon dhe Bashkimin Evropian.



