Një situatë alarmante është raportuar në Japoni pas një tërmeti të fuqishëm, ku disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda një qendre tregtare në rajonin e Kumamotos.

Sipas autoriteteve japoneze të emergjencës, ekipet e zjarrfikësve janë angazhuar për shpëtimin e personave që dyshohet se ndodhen ende brenda objektit pas dëmtimeve të shkaktuara nga lëkundjet e forta.

Raportimet fillestare bëjnë të ditur se një pjesë e ndërtesës ka pësuar dëmtime serioze, ndërsa disa punonjës të qendrës tregtare dyshohet se mund të jenë të zhdukur. Numri i saktë i personave të prekur ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Tërmeti me magnitudë 7.1 ka goditur zonën e ishullit Kyushu, duke shkaktuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike, dëmtime në rrugë dhe shembje të disa strukturave infrastrukturore.

Përveç qendrës tregtare, autoritetet kanë raportuar edhe për persona të zhdukur në një fabrikë letre në zonën e Yatsushiros, pas shembjes së një pjese të objektit. Ekipet e shpëtimit dhe policia po vazhdojnë kontrollet në zonat e prekura.

Autoritetet japoneze po monitorojnë situatën dhe po punojnë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.