Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar pas rrënimeve të objekteve pa leje në zonën e Ujmanit, duke u bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës.
Gjuriq deklaroi se me rrënimin e objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit, Qeveria e Kosovës po shpërfill sundimin e ligjit dhe të drejtat e komunitetit serb. Ai pretendoi se veprimet e institucioneve kosovare përbëjnë një model të vazhdueshëm presioni ndaj serbëve në Kosovë dhe kërkoi angazhim më të madh nga faktori ndërkombëtar.
Sipas tij, përveç rrënimeve në Ujman, ka përmendur edhe çështje të tjera që lidhen me pronat, objektet fetare dhe zhvillimet në zonat me shumicë serbe, duke argumentuar se ato duhet të trajtohen nga organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Gjuriq u bëri thirrje Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe KFOR-it që, brenda mandatit të tyre, të ndërmarrin hapa për mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe të drejtave të komunitetit serb.
Reagimi i ministrit serb vjen pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën aksion për rrënimin e objekteve që, sipas institucioneve përgjegjëse, ishin ndërtuar pa leje në pronën e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”. Rasti ka nxitur reagime të ndryshme politike në Kosovë dhe Serbi, ndërsa çështja ka marrë vëmendje edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë.
Në ditët e fundit, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për zhvillimet në zonën e Ujmanit dhe ka bërë thirrje që çdo veprim të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe me respektimin e sundimit të ligjit.
Zhvillimet rreth Ujmanit vazhdojnë të mbeten në qendër të debatit politik, ndërsa pritet që institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë të japin qëndrime të tjera lidhur me situatën dhe procedurat e ndërmarra.







