Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kërkuar që NATO-ja të rishqyrtojë praninë statike të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke vlerësuar se situata e sigurisë ka ndryshuar dhe se është koha për një qasje të re.
Përmes një reagimi publik, Ramadani ka deklaruar se largimi i pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura nuk duhet të shihet si dobësim i sigurisë, por si dëshmi e përmirësimit të gjendjes në terren dhe e progresit të arritur ndër vite. Sipas tij, kushtet aktuale krijojnë mundësinë që roli i KFOR-it në këtë pikë të rishikohet.
Ai ka rikujtuar se ura mbi Ibër për shumë vite ka qenë simbol i ndarjes dhe tensioneve ndërmjet komuniteteve, por ka theksuar se zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë kërkojnë vlerësime të reja nga misioni paqeruajtës i NATO-s.
Ramadani ka bërë thirrje që çdo vendim të merret në koordinim me institucionet përgjegjëse dhe duke pasur parasysh interesin e qytetarëve, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes.
Ndërkohë, KFOR-i vazhdon të mbajë një prani të përhershme në urën kryesore mbi Ibër dhe patrullon rregullisht zonën përreth, me misionin për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Çështja e urës mbi Ibër mbetet një nga temat më të ndjeshme në veri të Kosovës, ndërsa çdo diskutim për ndryshimin e rolit të KFOR-it apo funksionalizimin e plotë të urës vazhdon të tërheqë vëmendjen e institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.






