Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Bavari, ku humbën jetën tre mërgimtarë nga Kosova, pjesëtarë të së njëjtës familje nga Komogllava e Ferizajt.
Përmes një reagimi publik, Ajeti u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe ka bërë të ditur se Ambasada e Kosovës në Gjermani është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të ndjekur nga afër zhvillimet lidhur me rastin.
Sipas informacioneve të deritanishme, viktimat humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku teksa po ktheheshin nga Kosova drejt Gjermanisë. Autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ambasada e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme për familjet e prekura dhe do të bashkëpunojë me institucionet gjermane deri në përfundimin e procedurave përkatëse.






