Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë thirrje për dialog mes subjekteve politike për tejkalimin e krizës së krijuar rreth konstituimit të institucioneve të Kosovës.

Ajo ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit po shkakton shqetësim te qytetarët, mërgimtarët dhe komuniteti i biznesit, duke ndikuar edhe në sigurinë e investimeve në vend.

Sipas Kusari-Lilës, situata aktuale nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje politike mes partive. Ajo u ka bërë thirrje liderëve politikë që të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të dakordohen për hapat e ardhshëm institucionalë.

“Moskonstituimi i Kuvendit është brengë për mërgimtarët, është brengë për qytetarët e Republikës, është brengë shumë e madhe për bizneset për sigurinë e investimeve në Kosovë”, ka deklaruar ajo.

Kusari-Lila ka thënë se duhet të përcaktohet një plan konkret me afate për konstituimin e Kuvendit, votimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Ajo ka kritikuar gjithashtu mënyrën e komunikimit mes liderëve politikë, duke thënë se përplasjet dhe qëndrimet e tyre po përcillen kryesisht përmes mediave, në vend që palët të takohen drejtpërdrejt.

Sipas saj, interesi i shtetit duhet të jetë mbi interesat partiake, ndërsa Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe me mandate të plota.

Kusari-Lila ka përmendur edhe refuzimin e disa partive opozitare për t’iu bashkuar takimeve politike, duke e cilësuar këtë si të pajustifikueshëm në rrethanat aktuale.

Ajo ka theksuar se mospranimi i takimeve për konstituimin e institucioneve përbën, sipas saj, cenim të besimit demokratik dhe ka bërë thirrje që komunikimi të mos zhvillohet vetëm përmes deklaratave publike.

Në fund, Kusari-Lila ka përsëritur se dialogu politik mbetet rruga për tejkalimin e bllokadës dhe ka kërkuar nga partitë që të dakordohen për një agjendë konkrete për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.