Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se të rinjtë dhe të rejat duhet të kenë rol qendror në politikat publike dhe proceset vendimmarrëse në Kosovë.
Në aktivitetin “Zëri yt, e ardhmja jonë”, të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, Kurti ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit.
Sipas tij, rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga të rinj, çka e bën këtë grup një pjesë të rëndësishme të shoqërisë dhe të zhvillimit të vendit.
Kurti ka thënë se institucionet kanë ndërmarrë një sërë masash në fushën e arsimit, punësimit, kulturës dhe sportit, me synimin për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë.
Ai ka theksuar se të rinjtë nuk duhet të shihen vetëm si e ardhmja e Kosovës, por edhe si pjesë aktive e së tashmes.
“Rininë e shohim edhe si të tashmen, meqenëse është një pjesë e madhe e çmuar e shoqërisë sonë”, është shprehur Kurti.
Kreu në detyrë i Qeverisë ka nënvizuar gjithashtu nevojën për mbështetje të vazhdueshme për të rinjtë në kulturë dhe sport, ndërsa u ka bërë thirrje atyre që të komunikojnë me institucionet dhe të shprehin nevojat, kërkesat dhe shqetësimet e tyre.
Kurti ka deklaruar se qasja ndaj të rinjve duhet të bazohet në veprime konkrete dhe jo vetëm në premtime.
“Ne nuk i premtojmë rinisë, ne zotohemi dhe realizojmë tash dhe këtu për të”, ka deklaruar ai.
Në fund, Kurti i ka uruar të rinjtë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, duke ritheksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre në vendimmarrje dhe në zhvillimin e shoqërisë.






