Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë shkuar në objektin e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe zhbllokimin e procesit për formimin e institucioneve të reja.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie janë të gatshëm të marrin pjesë në seancë dhe se nuk ka arsye që ajo të mos vazhdojë.
Sipas tij, Kuvendi duhet të funksionalizohet dhe deputetët duhet të kryejnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, në vend që procesi të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.
Deputetët e PDK-së kanë kërkuar që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e seancës dhe të mundësojë zhvillimin e procedurave të mëtejshme.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit vazhdon të jetë i bllokuar. Partitë politike kanë qëndrime të ndryshme rreth mënyrës se si duhet të tejkalohet situata dhe nëse nevojitet paraprakisht një marrëveshje politike.
PDK ka insistuar vazhdimisht se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe se afatet dhe procedurat kushtetuese duhet të respektohen.
Ndërkohë, kryesuesi Avni Dehari ka deklaruar më herët se vazhdimi i seancës do të thirret kur të ketë një marrëveshje mes subjekteve politike.
Përplasja rreth kësaj çështjeje vazhdon, ndërsa deputetët e opozitës po kërkojnë që procesi parlamentar të mos mbahet peng nga negociatat politike.
Në mungesë të një dakordimi, mbetet e paqartë se kur do të vazhdojë seanca konstituive dhe kur do të mund të funksionalizohet Kuvendi i Kosovës.






