Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur kritika ndaj Qeverisë në detyrë, duke e akuzuar se po tejkalon kompetencat kushtetuese dhe ligjore në ushtrimin e detyrës.

Sipas IKD-së, situata aktuale institucionale në Kosovë ka krijuar një përplasje të rëndësishme mes mandatit të deputetit dhe ushtrimit të funksioneve ekzekutive.

Instituti vlerëson se Kosova nuk mund të qeveriset njëkohësisht nga persona që kanë marrë mandatin e deputetit dhe vazhdojnë të ushtrojnë edhe funksionet e ministrave në detyrë.

Kritikat e IKD-së lidhen me vazhdimin e vendimmarrjes nga Qeveria në detyrë, në një kohë kur vendi po përballet me një krizë institucionale dhe Kuvendi ende nuk është funksionalizuar.

Sipas institutit, zgjedhja e personave në Kuvend krijon detyrime të reja kushtetuese dhe ligjore, ndërsa mbajtja e njëkohshme e funksioneve ekzekutive dhe legjislative ngre pikëpyetje serioze për ligjshmërinë e vendimeve të marra.

IKD ka argumentuar se kompetencat e një qeverie në detyrë janë të kufizuara dhe nuk mund të përdoren për të marrë vendime që tejkalojnë administrimin e zakonshëm të institucioneve.

Instituti ka shprehur shqetësim edhe për pasojat që mund të prodhohen nga vendimet e marra në këtë periudhë, duke paralajmëruar se ato mund të përballen me kontestime ligjore nëse vlerësohet se janë marrë nga persona apo institucione pa kompetencën përkatëse.

Kjo çështje vjen në një periudhë kur përplasjet politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe funksionalizimit të institucioneve të reja janë intensifikuar.

IKD ka kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve, duke theksuar rëndësinë e qartësimit të kompetencave të institucioneve në këtë fazë të ndjeshme politike.