Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rikthyer sërish idenë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, duke pretenduar se një kërkesë e tillë ishte bërë më herët nga Komuna e Novi Pazarit dhe disa organizata të këtij qyteti.
Gjatë një vizite në juglindje të Serbisë, Vuçiq deklaroi se për këtë projekt kishte ekzistuar dokumentacion paraprak dhe njoftoi se javën e ardhshme pritet të formohet një grup ekspertësh që do ta shqyrtojë çështjen.
“Dikur këtë e kërkonte Komuna e Novi Pazarit dhe disa organizata nga ai qytet”, pretendoi Vuçiq, duke iu përgjigjur reagimeve që kanë pasuar deklaratat e tij për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.
Sipas presidentit serb, ideja lidhet me një plan për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit. Megjithatë, ai nuk dha detaje konkrete se si do të realizohej ndryshimi i rrjedhës së lumit dhe cilat do të ishin pasojat e një projekti të tillë.
Deklaratat e Vuçiqit kanë ngjallur reagime për shkak të rëndësisë së lumit Ibër për Kosovën. Lumi është pjesë e rëndësishme e sistemit të burimeve ujore të vendit dhe ka rol të rëndësishëm edhe në furnizimin me ujë.
Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është paraqitur për herë të parë ditët e fundit. Vuçiq më herët kishte deklaruar se Serbia po shqyrtonte mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e lumit dhe se për këtë çështje do të angazhonte ekspertë dhe inxhinierë.
Tash, sipas deklaratës së tij të fundit, një grup ekspertësh pritet të nisë punën javën e ardhshme. Megjithatë, ende nuk dihet nëse projekti do të kalojë përtej fazës së shqyrtimit dhe se çfarë forme konkrete do të merrte ai.
Çështja mbetet e ndjeshme për Kosovën, ndërsa deklaratat e presidentit serb kanë rikthyer debatin për përdorimin dhe menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare.






