Situata me zjarret në Shqipëri dhe Mal të Zi është rënduar, ndërsa Kosova ka shprehur gatishmërinë për t’u dalë në ndihmë dy vendeve fqinje. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës janë të gatshme të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre nëse kërkohet ndihmë.

Maqedonci ka deklaruar se gatishmëria për mbështetje u është përcjellë homologëve të tij, ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ai ka theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit në situata të tilla, veçanërisht kur vendet përballen me fatkeqësi natyrore dhe vatra të shumta zjarri.

“Në momente të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi marrin një rëndësi të veçantë”, ka deklaruar Maqedonci.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet e tjera të Republikës janë të gatshme të kontribuojnë në përballimin e situatës.

Ndihma nga Kosova do të aktivizohej në rast se autoritetet e Shqipërisë dhe Malit të Zi vlerësojnë se kapacitetet shtesë janë të nevojshme për përballimin e zjarreve.

Gatishmëria e Kosovës vjen në një kohë kur zjarret kanë krijuar situatë të rënduar në disa zona të rajonit, duke shtuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe ekipeve të emergjencave.

Kosova edhe në raste të mëparshme ka dërguar kapacitete për të ndihmuar në përballimin e zjarreve në Shqipëri, ndërsa institucionet e saj kanë theksuar vazhdimisht gatishmërinë për të ofruar mbështetje në raste të fatkeqësive natyrore.