Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me kërkesën që të mos lejohet hapja për qarkullim e Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Kjo deklaratë vjen pas njoftimit të KFOR-it për tranzicionin gradual të pranisë së tij nga ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila për më shumë se dy dekada ka qenë një prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në Mitrovicë.

Vuçiq ka pretenduar se Beogradi ka ndërhyrë për të parandaluar hapjen e urës dhe ka thënë se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsiloviq, ka diskutuar për këtë çështje me komandantin e KFOR-it.

“Mos e lejo hapjen e urës”, është në thelb kërkesa që Vuçiq i ka bërë Rutte-s, duke e paraqitur çështjen si një zhvillim që mund të ndikojë në situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Ura e Ibrit aktualisht është e hapur për këmbësorë, ndërsa çështja e hapjes së saj për automjete ka qenë prej vitesh pjesë e diskutimeve politike dhe të sigurisë ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

KFOR-i ka bërë të ditur se, pavarësisht tranzicionit nga prania e përhershme në urë, do të vazhdojë të mbajë një prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës dhe në pjesë të tjera të veriut të Kosovës.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka deklaruar se kushti për konsultim me partnerët e sigurisë, para hapjes së urës, është përmbushur pas njoftimit të KFOR-it për tranzicionin gradual të pranisë së tij.

Ura kryesore mbi Ibër vazhdon të mbetet simbol i ndarjes së Mitrovicës dhe një çështje e ndjeshme politike, ndërsa çdo hap lidhur me hapjen e saj pritet të përcillet me vëmendje nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.