Tre persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri privat pranë heliportit të ishullit Sifnos, në zonën e Tholos, në Greqi. Viktimat janë piloti dhe dy pasagjerët që ndodheshin në bord.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, më 17 gusht, pak pas orës 18:00, teksa helikopteri po afrohej për ulje në ishull. Mjeti ishte nisur nga Markopoulo dhe u rrëzua në afërsi të heliportit.

Pas përplasjes, në vendngjarje shpërtheu zjarr, duke bërë që ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit të mobilizoheshin menjëherë. Helikopteri u rrëzua pranë zonave të banuara, duke shkaktuar alarm te banorët.

Sipas autoriteteve greke, Qendra Operacionale e Shërbimit Zjarrfikës u njoftua rreth orës 18:17. Në vendngjarje u dërguan fillimisht dy zjarrfikës me një automjet, ndërsa nga ishulli Siros u nis edhe një ekip shpëtimi me mjet të shpejtë lundrues.

Ekipet e shpëtimit arritën në zonën e aksidentit dhe nxorën tre viktimat nga rrënojat. Sipas raportimeve të fundit, bëhet fjalë për pilotin dhe dy pasagjerë.

Shkaqet e rrëzimit ende nuk janë bërë të ditura. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit dhe se çfarë ndodhi gjatë afrimit të helikopterit për ulje.

Ngjarja ka tronditur ishullin Sifnos, ndërsa ekipet kompetente po vijojnë procedurat në vendin e aksidentit dhe mbledhjen e të dhënave për hetimin.