Ka nisur zyrtarisht ndërtimi i fazës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë, një projekt që synon të forcojë lidhjen rrugore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Në ceremoninë e gurthemelimit morën pjesë kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Mickoski tha se realizimi i projektit ishte një nga premtimet e dhëna në fillim të mandatit të tij dhe shprehu kënaqësi që punimet do të kryhen nga një kompani vendore maqedonase. Sipas tij, kjo do të sjellë vlerë të shtuar për ekonominë dhe vende të reja pune.
Segmenti i ri do të ketë një gjatësi prej rreth 10.5 kilometrash dhe parashihet të përfundojë brenda katër vitesh. Projekti përfshin 5 tunele, 8 ura, 11 nënkalime dhe 4 galeri, duke e bërë atë një nga segmentet më komplekse infrastrukturore në vend.
Autostrada pritet të përmirësojë qarkullimin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke lehtësuar transportin dhe duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal.







