Është identifikuar 22-vjeçarja që humbi jetën nga të shtënat me armë zjarri gjatë festivalit “Aarau Rave” në Zvicër.
Viktima është Maria S., një e re nga Italia, e cila ishte zhvendosur në Zvicër vetëm një muaj më parë për të punuar dhe për të nisur një jetë të re.
Sipas raportimit të gazetës gjermane “Bild”, Maria kishte përfunduar shkollën e hotelerisë, kishte gjetur punë si kameriere dhe planifikonte të vazhdonte studimet jashtë vendit.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 02:30 të së dielës, në kohën kur festivali po i afrohej fundit. E reja u qëllua për vdekje, ndërsa Policia Kantonale e Aargaut ka bërë të ditur se ajo ishte viktimë e rastësishme e të shtënave.
Për vdekjen e 22-vjeçares ka reaguar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.







