Home > Uncategorized > Kush është Bekim Sejdiu, kandidati për president për të cilin u dakorduan Kurti dhe Abdixhiku

Kush është Bekim Sejdiu, kandidati për president për të cilin u dakorduan Kurti dhe Abdixhiku

///
Comments are Off

Bekim Sejdiu është emri për të cilin kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar si kandidat për presidentin e ardhshëm të Kosovës. Dakordimi vjen pas disa javësh diskutimesh mes dy liderëve për gjetjen e një emri konsensual.

Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi.

Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2015 deri në vitin 2021. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë pjesë e trupës që ka trajtuar raste të rëndësishme me ndikim në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit.

Para angazhimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka pasur një përvojë të rëndësishme në diplomaci. Nga viti 2008 deri më 2012 ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi, ndërsa nga viti 2012 deri më 2014 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork.

Përpara emërimit si ambasador, ai ka punuar si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Përveç përvojës në drejtësi dhe diplomaci, Sejdiu është i angazhuar edhe në fushën akademike. Ai është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2002.

Studimet universitare në drejtësi i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më pas ka ndjekur studime pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare, demokraci dhe të drejta të njeriut. Ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.

Pas marrëveshjes mes Kurtit dhe Abdixhikut, hapi i radhës është sigurimi i mbështetjes së nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve. Në dy rundet e para nevojiten 80 vota, ndërsa në rundin e tretë presidenti zgjidhet me shumicën e të gjithë deputetëve, pra me 61 vota.

Kështu, pas dakordimit politik për emrin e Bekim Sejdiut, vëmendja tashmë pritet të zhvendoset te votimi në Kuvend dhe sigurimi i shumicës së nevojshme parlamentare.

Verified by MonsterInsights