Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka paraqitur qëndrimet e tij për drejtimin që, sipas tij, duhet të marrë partia, në një kohë kur LDK-ja po përballet me përçarje të brendshme dhe debate të forta politike.
Përmes një reagimi të gjatë, Sadiku ka renditur gjashtë pika që përmbledhin vizionin e tij për LDK-në. Ai ka kërkuar që partia të largohet nga disa prej qasjeve që, sipas tij, e kanë penguar në të kaluarën dhe të rikthejë në qendër të vëmendjes zhvillimin e Kosovës.
Një prej mesazheve kryesore të tij lidhet me raportin e LDK-së me të kaluarën. Sadiku thotë se partia nuk duhet ta shohë me kompleks historinë e saj, por duhet ta vlerësojë rolin që ka pasur në proceset shtetformuese dhe në ndërtimin e aleancave ndërkombëtare të Kosovës.
Ai ka argumentuar se, pavarësisht problemeve që ka pasur vendi pas luftës, përfshirë korrupsionin, keqqeverisjen dhe dështimet institucionale, Kosova ka kaluar nga një vend i rrënuar nga lufta në një shtet të pavarur me institucione, ekonomi, infrastrukturë dhe partneritete ndërkombëtare.
Sipas Sadikut, LDK-ja duhet t’i mbrojë këto arritje dhe të mos përqafojë narrativën se Kosova është shkatërruar pas luftës.
Në pikën e dytë, deputeti ka kërkuar një qëndrim më të qartë të LDK-së ndaj luftës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çështjes së mbrojtjes së vendit. Ai vlerëson se partia duhet të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës për gjeneratat e ardhshme.
Një tjetër prioritet që Sadiku ka ngritur është zhvillimi teknologjik. Ai kërkon që teknologjia, inovacioni, kërkimi dhe zhvillimi të kenë rol më të madh në programin politik të LDK-së dhe të trajtohen si prioritete për zhvillimin e shtetit.
Rinia është një tjetër çështje e përmendur në reagimin e tij. Sadiku ka kërkuar që LDK-ja të ketë një qasje të vazhdueshme ndaj të rinjve dhe të mos fokusohet tek ta vetëm gjatë periudhave zgjedhore.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, LDK-ja shpesh e ndërton identitetin politik duke u pozicionuar në raport me partitë e tjera. Sadiku argumenton se partia nuk duhet të përcaktojë vazhdimisht qëndrimet e saj duke parë se çfarë bëjnë Vetëvendosje apo PDK-ja dhe me kë mund të bashkëpunojë në të ardhmen.
Në vend të kësaj, ai thotë se LDK-ja duhet ta ketë si bosht të saj zhvillimin e Kosovës, duke përfshirë ekonominë, teknologjinë, arsimin, sigurinë, integrimin euroatlantik dhe krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.
Në fund, Sadiku është ndalur te demokracia e brendshme e LDK-së, duke e cilësuar atë si një vlerë që duhet të ruhet edhe kur sjell përplasje apo mospajtime.
Sipas tij, një parti e fortë nuk është domosdoshmërisht ajo ku të gjithë anëtarët pajtohen me kryetarin. Ai ka kërkuar që në LDK të ketë hapësirë për mendime ndryshe, debat dhe kritikë, pa u konsideruar këto si tradhti ndaj partisë.
Reagimi i Sadikut vjen në një moment kur përçarjet brenda LDK-së janë bërë më të dukshme pas mosmarrëveshjeve rreth kandidaturës së Bekim Sejdiut për president. Gjashtë deputetë të LDK-së kanë kundërshtuar mbështetjen për Sejdiun, duke krijuar pasiguri për përfundimin e procesit presidencial dhe duke rritur mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Përmes gjashtë pikave të tij, Sadiku ka kërkuar që debati brenda LDK-së të mos kufizohet vetëm te zhvillimet e momentit, por të shtrihet edhe te identiteti, programi dhe drejtimi që partia dëshiron të ndjekë në të ardhmen.






