Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, gjatë aktiviteteve të organizuara në nder të Shën Nënë Terezës.
Dy figurat politike janë parë së bashku në Katedralen e Prishtinës, në një ngjarje ku morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë.
Takimi mes Ramës dhe Kurtit vjen në një periudhë kur marrëdhëniet politike mes tyre kanë qenë të shoqëruara me përplasje dhe kritika publike. Rama në vazhdimësi ka shprehur qëndrime kritike ndaj qeverisjes së Kurtit, ndërsa mes dy institucioneve ka pasur përplasje edhe për çështje që lidhen me menaxhimin e kryeqytetit.
Katedralja “Shën Nënë Tereza” këto ditë ka qenë në qendër të aktiviteteve kushtuar shenjtores shqiptare. Më 4 shtator aty u mbajt një koncert solemn me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, ndërsa aktivitetet vazhdojnë edhe më 5 shtator me meshën solemne të festës së saj.
Prania e Kurtit dhe Ramës në të njëjtin aktivitet bëri që takimi i tyre të tërhiqte vëmendjen, sidomos për shkak të raporteve politike mes tyre.







