Eduard Kuçi, personi që u shfaq në një video duke u sulmuar nga këngëtari Jozefin Marku dhe disa persona të tjerë, është shpallur në kërkim nga Policia e Shqipërisë për moskallëzim të krimit.
Sipas raportimeve, Kuçi nuk e kishte denoncuar në polici sulmin ndaj tij, duke deklaruar se bëhej fjalë për një konflikt të thjeshtë që kishte nisur për shkak të bllokimit të rrugës me automjet.
Pas verifikimeve të kryera, autoritetet kanë ngritur dyshime për moskallëzim krimi dhe e kanë shpallur atë në kërkim policor për të dhënë sqarime lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, Jozefin Marku dhe Kristjan Nikolli janë arrestuar lidhur me rastin, ndërsa ndaj tyre janë ngritur disa akuza, përfshirë heqjen e paligjshme të lirisë, plagosjen e lehtë me dashje dhe kanosjen.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e konfliktit, rolin e personave të përfshirë dhe mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.







