Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar aktgjykim lirues ndaj ish-presidentit të Kosovës në procesin gjyqësor për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjatë fjalës përfundimtare, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, kundërshtoi kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për dënimin e tij me gjashtë vjet burgim, duke kërkuar që vendimi të mbështetet në prova dhe jo, siç tha ajo, në spekulime.
“Prokuroria iu kërkon juve që të dërgoni në burg zotin Thaçi për 6 vjet për biseda që janë bërë në qendrën e paraburgimit të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale. Ne kërkojmë që vendimi i juaj që të bazohet në prova dhe jo në spekulime edhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, deklaroi Menegon.
Sipas mbrojtjes, dëshmitarët e përmendur në aktakuzë kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje nga ZPS-ja se askush nuk kishte ndërhyrë tek ata. Menegon përmendi Mustafa Remin, Bislim Zyrapin dhe dëshmitarin 4.
Avokatja argumentoi gjithashtu se në këtë çështje nuk ka viktima dhe se, sipas saj, Prokuroria nuk ka arritur të provojë fajësinë e Thaçit.
Menegon kritikoi edhe masat e ndërmarra ndaj Thaçit, duke iu referuar incizimit të fshehtë të bisedave dhe telefonatave të tij jo të privilegjuara, përfshirë komunikimet me bashkëshorten dhe djalin.
Çështja ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit lidhet me akuza për vepra kundër administrimit të drejtësisë. Të pesë janë deklaruar të pafajshëm. Procedura e paraqitjes së provave përfundoi më 5 gusht, ndërsa deklaratat përmbyllëse janë caktuar për 10, 11 dhe 14 shtator 2026.







