Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me çështjen e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.
Rama ka deklaruar se beson që Komuna e Prishtinës i ka votat e nevojshme për themelimin e një kompanie të re të pastrimit, e cila do të menaxhohej drejtpërdrejt nga kryeqyteti. Propozimi pritet të hidhet në votim në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Në një konferencë për media, Rama tha se pret që propozimi të kalojë edhe pa votat e asamblistëve të VV-së, ndërsa i akuzoi ata për bllokim të proceseve që, sipas tij, synojnë zgjidhjen e problemit të pastrimit në Prishtinë.
“Unë mendoj që i kemi votat për me kalu dhe me ecë përpara edhe pa Vetëvendosjen”, deklaroi Rama, duke shtuar se votimi do të tregojë qëndrimin e asamblistëve të kësaj partie.
Kryetari i Prishtinës pretendoi se asamblistët e VV-së po krijojnë bllokada për shërbimin e pastrimit, ndërsa në të njëjtën kohë kritikojnë gjendjen me mbeturinat në kryeqytet.
Rama përdori tone të ashpra ndaj tyre, duke i quajtur “rrenca” dhe duke deklaruar se, sipas tij, qëndrimi i tyre do të bëhet i qartë gjatë votimit të nesërm.
Seanca e jashtëzakonshme pritet të jetë vendimtare për propozimin e Komunës së Prishtinës për kompaninë e re të pastrimit.







