Policia e Kosovës ka sekuestruar gjashtë motoçikleta gjatë një aksioni të zhvilluar të enjten në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar më 10 shtator 2026 nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë dhe pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.
Motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve.
Policia ka paralajmëruar se do të ketë “zero tolerancë” ndaj kundërvajtësve në komunikacion.







