Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se veprimet dhe kërcënimet e Rusisë nuk do ta dobësojnë mbështetjen e aleatëve për Ukrainën, por përkundrazi do ta forcojnë vendosmërinë për ta ndihmuar Kievin.
Rutte ka theksuar se NATO-ja dhe aleatët e saj do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën përballë agresionit rus, duke e konsideruar këtë mbështetje të rëndësishme edhe për sigurinë e vetë Aleancës.
Vetëm dy ditë më parë, gjatë takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, Rutte kërkoi nga vendet aleate që ta rrisin mbështetjen, duke thënë se vonesat në dërgimin e ndihmës “kushtojnë jetë njerëzish”.
Ai bëri të ditur se gjatë vitit të fundit aleatët kanë ndarë mbi 10 miliardë dollarë për mekanizmin PURL dhe shitjet ushtarake amerikane për Ukrainën. Sipas tij, furnizimi me pajisje kritike, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, po vazhdon pa ndërprerje.
Rutte ka argumentuar se Rusia po përshtat mënyrën e saj të luftimit, ndërsa Ukraina vazhdon të ketë nevojë për mbrojtje ajrore, dronë dhe municion me rreze më të gjatë veprimi.
Mesazhi i kreut të NATO-s është se presioni dhe veprimet e Moskës nuk do ta ndryshojnë kursin e aleatëve për Ukrainën.







