Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së ka marrë vëmendje të madhe edhe në mediat në Serbi, të cilat kanë raportuar gjerësisht për vendimin dhe reagimet që pasuan në Kosovë.
Gazeta serbe “Danas” e vendosi në titull shprehjen: “Nga sot në Kosovë nuk do të ketë më qetësi”, teksa përmblodhi raportimet e Reuters, CNN, Al Jazeera dhe Associated Press për aktgjykimin dhe reagimet në Prishtinë.
Megjithatë, kjo fjali nuk është qëndrim i redaksisë së Danas. Sipas vetë artikullit, ajo është deklaratë e Raif Planës, të cilin mediumi e përshkruan si ish-pjesëtar të UÇK-së që kishte dalë në qendër të Prishtinës në mbështetje të Thaçit. Plana e kishte cilësuar vendimin “të turpshëm” dhe më pas kishte bërë deklaratën që u përdor në titull.
“Danas” raportoi gjithashtu për reagimet emocionale të qytetarëve në Prishtinë, tubimet në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe vëmendjen e madhe që aktgjykimi ka marrë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Sinjali, duke iu referuar këtij raportimi, shkruan se mediat serbe i kanë kushtuar hapësirë të konsiderueshme vendimit në Hagë dhe zhvillimeve që pasuan pas shpalljes së tij.







